Deputeti i Partisë Demokratike reagoi pas motit të keq në zonën e veriut, duke denoncuar se autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë parandaluese, si hedhja e kripës, për të shmangur aksidentet në Rrugën e Kombit.
Në një deklaratë zyrtare në emër të PD-së, deputeti akuzon qeverinë për dështim në garantimin e sigurisë publike dhe për neglizhencë të plotë. “Partia Demokratike denoncon papërgjegjshmërinë e institucioneve shtetërore, të cilat, edhe pse të paralajmëruara për motin e keq, nuk morën asnjë masë parandaluese në Rrugën e Kombit. Moshedhja e kripës ka sjellë kaos në qarkullim dhe një numër alarmant aksidentesh, duke rrezikuar jetën e qytetarëve,” thuhet në reagim.
Deputeti thekson se kjo situatë është një tjetër provë e dështimit të qeverisë për të garantuar sigurinë publike. Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë dhe të marrin përgjegjësi për pasojat e papërgjegjshmërisë së tyre.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, pasi qeveria ka treguar edhe një herë se është e paaftë dhe e pavullnetshme për të përmbushur detyrimet më minimale ndaj sigurisë së qytetarëve,” përfundon deklarata e PD-së.



