back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 20 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Flemë në shesh, ata vjedhin miliona”/ “Shqipëria Bëhet” proteston para Kryeministrisë

“Flemë në shesh, ata vjedhin miliona”/ “Shqipëria Bëhet” proteston para Kryeministrisë

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka zhvilluar një protestë para Kryeministrisë, ku kreu i saj, Adriatik Lapaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe ka kërkuar dorëheqjen e tij.

Sipas Lapajt, protesta po vijon prej 27 netësh radhazi, me pjesëmarrjen e aktivistëve dhe qytetarëve që mbështesin kauzën e lëvizjes. Ai u shpreh se qëllimi i protestës është kundërshtimi i asaj që e cilësoi si një regjim oligarkik dhe qeverisje të korruptuar.

“Erdhi për të zhbërë modelin e oligarkisë së Berishës, por nuk është zhbërë. Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Europë”, deklaroi Lapaj, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin moral të shumicës parlamentare që, sipas tij, “nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve”.

Ai theksoi se protestuesit kanë kaluar 27 net duke fjetur në shesh, ndërsa shtoi se, sipas tij, institucionet shtetërore nuk kanë treguar asnjë kujdes apo reagim ndaj tyre. Lapaj ngriti gjithashtu akuza për keqmenaxhim të fondeve publike, duke krahasuar shpenzimet e qeverisë me mungesën e fondeve për sektorë si shëndetësia dhe arsimi.

“Këta kanë blerë 10 milionë euro çokollata, ndërsa buxheti kundër kancerit nuk është as 10 milionë euro. Fëmijët në shkolla dridhen nga i ftohti”, u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe organizatorët kanë paralajmëruar se do të vijojë edhe në ditët në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat