back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialeShqipëria nën ujë/ Durrësi dhe Kurbinin më të goditurit

Shqipëria nën ujë/ Durrësi dhe Kurbinin më të goditurit

Shqipëria ka hyrë në ditën e pestë të përmbytjeve, ndërsa situata vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit për shkak të reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit.

Qarku i Durrësit është një nga më të prekurit. Sipas autoriteteve të Bashkisë Durrës, janë evakuuar 848 banorë nga zonat e rrezikuara, ndërsa vijon procesi i verifikimit të dëmeve të shkaktuara në banesa dhe prona private. Në njësinë administrative Sukth, rreth 2 800 hektarë tokë bujqësore ndodhen ende nën ujë.

Në qarkun e Fierit, gjatë natës dhe orëve të fundit janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa situata mbetet nën monitorim nga strukturat e emergjencave civile.

Qarku i Lezhës vijon të jetë ndër më të goditurit nga reshjet intensive të kësaj jave. Zona më problematike mbetet Kurbinin, ku fshati Adriatik vazhdon të përballet me vështirësi, pavarësisht riparimit të përkohshëm të një pjese të urës së dëmtuar që shkaktonte prurje të mëdha uji në pjesën veriore të fshatit.

Reshje me intensitet janë regjistruar edhe në qarkun e Gjirokastrës. Aksi nacional Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, vijon të jetë i kalueshëm vetëm me një sens, ndërsa qarkullimi i automjeteve menaxhohet nga efektivët e Policisë së Shtetit.

Në qarkun e Vlorës, prurjet e lumit Vjosë kanë qenë të larta gjatë ditëve të fundit, por aktualisht niveli i ujit ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit. Lumi është rikthyer në shtratin e tij dhe nuk përbën më rrezik të drejtpërdrejtë për zonën. Megjithatë, pasojat e përmbytjeve mbeten evidente në disa banesa, veçanërisht në njësinë administrative Novoselë, ku janë prekur rreth 13 banesa, si dhe në fshatin Bishan, ku rreth 15 banesa kanë pasur prezencë uji në oborre dhe brenda ambienteve të banimit.

Në qarkun e Korçës raportohen problematika kryesisht në furnizimin me energji elektrike dhe infrastrukturën rrugore, si pasojë e kushteve të përkeqësuara atmosferike.

Situatë e rëndë paraqitet edhe në fshatin Malëshovë të Këlcyrës, ku çarja e dheut pranë banesave rrezikon jetën e tre familjeve, pasi ekziston rreziku i fundosjes së masivit të tokës.

Ndërkohë, reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonat malore të veriut. Për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët, Policia e Shkodrës ka njoftuar se gjatë natës do të bllokohet qarkullimi në segmentin rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë në terren, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat