Partia Demokratike ka depozituar një ankimim në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Sipas PD-së, zgjedhja e Endri Shabanit është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit. Opozita pretendon se procedura e ndjekur nuk ka respektuar kriteret ligjore dhe parimet kushtetuese që rregullojnë këtë proces.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike kërkon shfuqizimin e votimit të zhvilluar në Kuvend për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Po ashtu, PD kërkon pezullimin e ushtrimit të detyrës nga Endri Shabani deri në një vendimmarrje përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje.
Ende nuk ka një reagim nga Kuvendi apo nga vetë Avokati i Popullit lidhur me ankimimin e depozituar, ndërsa pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë mbi pranueshmërinë e saj.



