Po zhvillohet jashtë radhë mbledhja e Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Maliqit, e organizuar për të diskutuar situatën e krijuar nga përmbytjet e muajit nëntor 2025.
Në mbledhje janë prezentë edhe fermerë të prekur nga përmbytjet, të cilët po debatojnë me drejtuesit e bashkisë lidhur me dëmet e shkaktuara në prodhimet bujqësore. Sipas tyre, numri i fermerëve të prekur është i madh dhe dëmet konsiderohen të mëdha.
Julian Guri, një prej fermerëve të zonës, iu bëri thirrje bashkëbanorëve për rezistencë dhe kërkoi përgjigje konkrete nga autoritetet. “Asnjë nuk duhet të lëvizi nga këtu, ne duam përgjigje konkrete. Ku janë dëmshpërblimet?” – tha ai.
Në shenjë proteste, fermerët goditën tavolinat dhe kërkuan shpërblime, ndërsa njëzëri brohoritën “Turp, turp!”. Ata u shprehën gjithashtu se nuk duan “shpresa të kota”.
Në përfundim të mbledhjes, pritet të shihet se çfarë vendimesh do të merren nga Këshilli Bashkiak për kompensimin e fermerëve dhe trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.



