Departamenti Amerikan i Shtetit ka shënuar një rekord historik anulimi të vizave, duke revokuar mbi 100 mijë viza për shtetas të huaj vetëm gjatë vitit 2025, më shumë se dyfishi i anulimeve të vitit 2024, sipas raportimit të FOX News.
Ky shpërthim anulimesh vjen pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump, i firmosur në ditën e parë të mandatit të tij, për forcimin e verifikimeve ndaj shtetasve të huaj. Gjatë vitit 2024, ishin anuluar rreth 40 mijë viza, kryesisht turistike dhe për biznes, për shkak të qëndrimit përtej afatit të lejuar.
Por anulimet e vitit 2025 kanë prekur edhe kategori të tjera: rreth 8,000 studentë dhe 2,500 punëtorë të specializuar kanë humbur statusin e tyre ligjor në SHBA. Sipas Departamentit të Shtetit, shumica e këtyre personave kishin probleme me ligjin.
Mes punëtorëve të specializuar, 50% e anulimeve lidhen me arrestime për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 30% me akuza për dhunë fizike, sulm apo ndalim të paligjshëm, dhe 20% për vepra të rënda si vjedhje, abuzim me fëmijë, përdorim dhe shpërndarje droge, mashtrim financiar dhe përvetësim fondesh. Rreth 500 studentë kanë humbur vizat për posedim dhe shpërndarje narkotikësh, ndërsa qindra punëtorë të huaj janë përjashtuar për dyshime për abuzim me fëmijë.
Në gusht 2025, administrata Trump njoftoi një rishikim të të gjitha 55 milionë vizave amerikane aktive, një operacion i konsideruar pa precedent në historinë e emigracionit amerikan.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka vendosur standarde shumë më të ashpra për pajisjen me viza, ndërsa zëvendëszëdhënësi i Departamentit, Tommy Piggott, deklaroi se administrata do të zbatojë një politikë verifikimi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë.



