Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Partia Demokratike nuk do të vijë në qeveri me dhunë, por do të hapë rrugën për votën e lirë të shqiptarëve dhe respektimin e ligjit dhe Kushtetutës.
Berisha u shpreh se administrata po dërgon një fluks të madh denoncimesh dhe dokumentesh tek ministri Arben Ahmetaj, duke shtuar se kjo e ka “tmerruar” kryeministrin Edi Rama. Ai tha se dosjet e dorëzuara nga Ahmetaj përmbajnë informacione të shumta, të cilat sipas tij janë shumë serioze.
“PD nuk vjen në qeveri me dhunë, kurrë. Por qytetarët me të drejtë presin nga opozita, dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë. Kemi caktuar një datë proteste të fuqishme, më të fuqishmen që ka parë ndonjëherë Tirana,” tha Berisha.
Ai kritikoi ashpër qeverinë dhe e quajti kryeministrin “kryehajdut”, duke paralajmëruar vazhdimin e betejës së opozitës deri në largimin e tij nga pushteti.



