Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi për mediat vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me arrestin e shtëpisë ndaj tij, duke e cilësuar si një akt me motive politike.
“Gjykata Kushtetuese është një seksion i Partisë Socialiste. Vendimi ndaj meje u mor vetëm pas 8 muajsh, ndërkohë që çështjet që lidhen me qeveritarët trajtohen brenda 2-3 javëve. Ky vendim, i koduar politikisht, shpalli jokushtetues ndaj meje, por nuk e shfuqizoi atë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se vendimi ka pasoja edhe sot, pavarësisht pretendimeve se nuk është më në fuqi. “Vendimi duhej shfuqizuar sipas çdo doktrine, por nuk u bë. Ai hapi rrugë vendimeve të tjera që mund të shfuqizoheshin, por vendimi im nuk u shfuqizua, dhe pasoja e tij është fakti që unë jam sot përpara jush”, u shpreh Berisha.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur çështja e masave ndaj tij vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike dhe mediatike, duke ndezur debatet politike në vend.



