Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar se abuzimet dhe menaxhimi joefektiv i fondeve publike kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 24 milionë euro gjatë periudhës janar–shtator 2025.
Raporti i fundit i KLSH-së tregon se gjatë 9 muajve të parë të vitit të shkuar janë bërë 148 rekomandime lidhur me “gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit”. Dëmi ekonomik është konstatuar 60% në fushën e shpenzimeve dhe 40% në fushën e të ardhurave.
Në sektorin e shpenzimeve, pjesa më e madhe e dëmimeve lidhet me shkeljet gjatë procedurave të prokurimit dhe zbatimit të kontratave. Ndërsa në fushën e të ardhurave, problemet më të mëdha janë evidentuar në aktivitetin doganor, për shkak të mosarkëtimit të detyrimeve doganore,pagesës së detyrimeve të pakta ose të përjashtuara padrejtësisht nga TVSH-ja si dhe trajtimit të gabuar të shkeljeve doganore.
Raporti evidenton gjithashtu të ardhura të munguara nga administrimi i pasurisë shtetërore dhe marrëdhëniet kontraktuale me palët e treta, në shumën prej 1.47 milionë lekë.
KLSH thekson se këto gjetje tregojnë nevojën për forcimin e kontrollit dhe transparencës në menaxhimin e parave publike, për të minimizuar humbjet dhe për të rritur efikasitetin e buxhetit shtetëror.



