Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar për vitin 2026 ka nisur mes debatesh dhe tensionesh nga ana e opozitës. Deputetët opozitarë janë ngritur nga vendet e tyre dhe janë afruar pranë foltores në momentin që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi fjalën përshëndetëse të hapjes së sesionit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputetë të tjerë të PD-së, kanë kërkuar largimin nga salla të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar praninë e saj të papranueshme.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është lidhur drejtpërdrejt me një transmetim “live” në rrjetin social Facebook, ku ka mbajtur një fjalim paralelisht me fjalën hyrëse të Peleshit në sallën e Kuvendit.
Më pas, në një deklaratë të mbajtur jashtë ambienteve të Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që të thërrasë sa më parë Këshillin e Rregullores dhe Mandateve për të shqyrtuar çështjen që lidhet me Belinda Ballukun.
Seanca vijon mes tensioneve politike, ndërsa pritet reagimi i mazhorancës ndaj kërkesave të opozitës.



