Dritan Palnika, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Bujqësisë, është një nga personat që SPAK po pyet në kuadër të hetimeve për sulmin kibernetik ndaj këtij institucioni.
Burimet konfirmojnë se Palnika ka lidhje të afërta familjare me Agim Ismailin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili akuzohet si pjesë e grupit kriminal që dyshohet se qëndron pas hakerimit të SPAK dhe publikimit të materialeve hetimore të lidhura me figura të politikës dhe biznesit. SPAK dyshon se materialet e siguruara nga Ismaili i janë kaluar Palnikës.
Për Agim Ismailin, GJKKO ka nisur tashmë procesin gjyqësor. Ai akuzohet për përfshirje në veprimtari kriminale të strukturuara, ndërhyrje të paligjshme në sisteme kompjuterike dhe shpërndarje të të dhënave hetimore, akuza këto që SPAK i konsideron pjesë të një skeme për goditjen e institucioneve të drejtësisë.
Hetimet janë ende në zhvillim, për të zbardhur rolin e të gjithë personave të përfshirë dhe çdo lidhje që mund të ketë ndikuar në realizimin dhe pasojat e këtij sulmi kibernetik.



