Komisioni i Ligjeve ka miratuar amendamentet që përjashtojnë gazetarët nga ndjekja penale për veprën e shpifjes. Ndryshimet e propozuara nga Këshilli i Ministrave për disa nene të Kodit Penal morën mbështetjen e shumicës socialiste në komision, duke përcaktuar se gazetarët e regjistruar në organizata mediatike nuk do të jenë më subjekt i këtij dënimi penal.
Në të njëjtën mbledhje u shqyrtua edhe një amendament alternativ i propozuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku, aktualisht kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Sipas Tabakut, propozimi i saj adresonte më mirë çështjen dhe ishte në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian, por ai u rrëzua nga shumica socialiste.
Në seancë mungoi mbështetja e kolegëve demokratë të Tabakut, të cilët nuk morën pjesë në votim në kuadër të qëndrimit të opozitës ndaj Kuvendit. I vetmi përfaqësues i opozitës i pranishëm në sallë ishte deputeti Tedi Blushi.
Përveç ndryshimeve që lidhen me shpifjen, amendamentet e miratuara në Komisionin e Ligjeve parashikojnë edhe ashpërsimin e dënimeve për zaptimin e hapësirave publike, si dhe kriminalizimin e parkimit dyfish në rrugë.
Ndryshimet pritet të kalojnë për shqyrtim dhe miratim përfundimtar në seancën plenare të Kuvendit.



