Qeveria miratoi sot Amnistinë Penale, vendim i konfirmuar nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ministrit Lamallari, nga ky akt përfitojnë menjëherë 447 persona që lirohen nga burgu, ndërsa 853 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj. Numri total i përfituesve nga pushimi i ndjekjes penale pritet të jetë shumë më i madh.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Përveç një akti human dhe mundësisë për rehabilitim, kjo masë ul presionin në burgje dhe lejon drejtësinë të fokusojë resurset aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegrimin,” tha ministri Lamallari.
Ai theksoi se projektligji do të shqyrtohet në Kuvend pa vonesa, me qëllim që amnistia të fillojë efektet e saj sa më shpejt. “Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe mundësi e dytë për të rikthyer individët në shoqëri,” shtoi Lamallari.
Përfituesit e Amnistisë
-
Lirim i menjëhershëm: 447 persona
-
Ulje dënimi: 853 persona
-
Masa alternative përfitojnë: 5,077 të dënuar nga Shërbimi i Provës
-
Pushim ndjekje penale për veprat e lehta: 14,000 procedime nga viti 2024
Përjashtohen nga amnistia personat e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ata që i janë shmangur drejtësisë.
Synimet e ligjit
Projektligji i miratuar synon:
-
Humanizëm dhe rehabilitim të të dënuarve, veçanërisht grave dhe të miturve.
-
Mbrojtjen e interesit publik dhe reduktimin e mbipopullimit të burgjeve.
-
Efikasitet në sistemin e drejtësisë penale, duke lehtësuar përdorimin e masave alternative dhe ndjekjen e rasteve me rrezik të lartë shoqëror.
Ligji parashikon gjithashtu kriteret për përjashtimin nga amnistia dhe zbritjen e dënimit, duke përjashtuar veprat penale të rënda, krimet seksuale, kundër jetës dhe ato të lidhura me terrorizmin apo korrupsionin e lartë.
Projektligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke u bërë një mundësi për mijëra familje shqiptare për të parë efektet e menjëhershme të këtij vendimi.
Neni 1 – Qëllimi dhe parimet e ligjit
-
Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.
-
Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga:
a) parimi i humanizmit;
b) arritja e qëllimit të dënimit;
c) rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen;
ç) edukimi dhe rehabilitimi;
d) mbrojtja e interesit publik;
dh) mundësia për integrim më të lehtë të të dënuarve të mitur dhe grave;
e) rritja e efiçencës së drejtësisë;
ë) mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.
Neni 2 – Përkufizime
-
“I dënuar” është:
a) personi i dënuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe gjykatat e apelit për veprat penale të parashikuara, deri më 31.12.2025;
b) personi i dënuar nga Gjykata e Lartë me vendime përfundimtare deri më 31.12.2025. -
“Person që i është shmangur drejtësisë” është personi i fshehur, i arratisur ose që shmanget me qëllim procedimin penal ose zbatimin e vendimeve gjyqësore.
Neni 3 – Kriteret për përfitimin e amnistisë
-
Përjashtohen nga vuajtja e dënimit:
a) burrat me burg deri në 3 vjet ose çdo dënim tjetër më të butë;
b) gratë me burg deri në 4 vjet ose çdo dënim tjetër më të butë;
c) burrat me dënim deri në 3 vjet pa u vuajtur;
ç) gratë me dënim deri në 4 vjet pa u vuajtur;
d) burrat mbi 60 vjeç;
dh) gratë mbi 50 vjeç;
e) të dënuarit nën moshën 18 vjeç gjatë kryerjes së veprës penale. -
Nuk përjashtohen personat që i janë shmangur drejtësisë.
Neni 4 – Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë
Nuk përjashtohen nga amnistia personat e dënuar për:
-
Krime kundër njerëzimit, jetës, shëndetit, krime seksuale, krime kundër fëmijëve dhe familjes, krime kundër pasurisë dhe ekonomisë, falsifikim dokumentesh, krime kundër mjedisit, autoritetit shtetëror, zgjedhjeve, drejtësisë dhe veprave me qëllime terroriste, si dhe krime të kryera nga banda të armatosura ose organizata kriminale.
Neni 5 – Zbritja e dënimit
-
Të gjithë të dënuarit që nuk përjashtohen nga nenet 3 dhe 4, përfitojnë zbritje dënimi:
-
1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit;
-
1 vit për burrat.
-
-
Nuk përfitojnë:
a) të dënuarit për veprat e rënda të parashikuara në Kodin Penal;
b) të dënuarit me burgim të përjetshëm;
c) të dënuarit nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
d) të dënuarit që i janë shmangur drejtësisë.
Neni 6 – Amnistia nga ndjekja penale
-
Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet për veprat penale të lehta deri më 31.12.2025, përveç rasteve të parashikuara në Kodin Penal dhe Kodin Penal Ushtarak.
-
Nuk përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, subjektet e deklarimit financiar dhe ata nën hetim nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Neni 7 – Të drejtat civile
Zbatimi i këtij ligji nuk cenon të drejtat civile të personave në procesin penal, as shpenzimet gjyqësore të kryera.
Neni 8 – Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



