back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetPërplasje në Kuvend/ Shehaj: Keni kyçur dosjen e SPAK për Ballukun

Përplasje në Kuvend/ Shehaj: Keni kyçur dosjen e SPAK për Ballukun

Tension në nisje të seancës plenare në Kuvend, ku kreu i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj iu drejtua Kryetarit të Kuvendit, në cilësinë e drejtuesit të Këshillit të Mandateve, lidhur me dosjen e SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Shehaj akuzoi drejtuesit e Kuvendit se kanë “kyçur dosjen e SPAK për Ballukun”, duke pretenduar se dokumentacioni nuk po vihet në dispozicion të deputetëve. Sipas tij, kjo përbën shkelje të rregullores dhe të Kushtetutës.

“Kjo nuk është vetëm një shkelje e rregullores dhe Kushtetutës: Ju po mbroni korrupsionin me postin tuaj. Me këto veprime, zoti kryetar, po mbroni të korruptuarit dhe kjo është e papranueshme. Kërkojmë që sa më shpejt të na vihet në dispozicion dosja, sepse na takon, jo se na bëni ndonjë nder”, u shpreh Shehaj nga foltorja e Kuvendit.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, reagoi duke theksuar se ekziston një urdhër nga SPAK që materialet të mos bëhen publike, pasi bëhet fjalë për sekret hetimor.

“Ju thatë që materialet janë kyçur, unë do ta shtoj akoma më tepër dhe do kujtoj gjithë deputetëve që kanë tërhequr materiale të mos i bëjnë publike, sepse bëhet fjalë për një sekret hetimor. Ka urdhër të prokurorit për të mos publikuar materialet dhe unë jam në zbatim të atij ligji. Ndërsa ju keni të drejtën tuaj të konsumoni politikë, të rrisni klikimet tuaja, por kjo nuk më intereson fare”, deklaroi Peleshi.

Debati mes palëve vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa çështja e aksesit në dokumentet hetimore pritet të vijojë të jetë objekt përplasjesh në Kuvend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat