Vija bregdetare e Dhërmi është përballur sot me ndotje të dukshme, pasi uji ka marrë ngjyrë kafe si pasojë e dherave dhe mbetjeve inerte që kanë përfunduar në det. Fenomeni u vu re përgjatë gjithë bregut, ku uji ka humbur kthjelltësinë dhe pamja turistike është ndikuar dukshëm.
Sipas informacioneve paraprake, ndotja dyshohet të ketë ardhur nga lëvizjet e dherave dhe materialeve inerte, të cilat përmes rrjedhjeve kanë përfunduar në vijën bregdetare. Ky problem jo vetëm cenon pamjen e zonës turistike, por rrezikon edhe ekosistemin detar.
Banorë dhe pushues shprehen shqetësimin e tyre, duke kërkuar ndërhyrje të shpejtë nga institucionet përkatëse për të verifikuar burimin e ndotjes dhe për të ndërmarrë masat e pastrimit.
Dhërmiu, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të vendit, përballet kështu me një problem mjedisor që kërkon reagim të menjëhershëm për të shmangur përkeqësimin e situatës.



