back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaZhbllokohen fondet IPARD?/ Salla jep afatin dhe paralajmëron hapjen e aplikimeve

Zhbllokohen fondet IPARD?/ Salla jep afatin dhe paralajmëron hapjen e aplikimeve

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, njoftoi sot se fondet IPARD të Bashkimit Europian për bujqësinë pritet të zhbllokohen brenda muajit qershor, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë të vitit fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.

Salla bëri të ditur se qeveria shqiptare do të jetë më 9 mars në Bruksel për takime me përfaqësues të Bashkimi Europian, ku pritet të diskutohet edhe për ecurinë e procesit dhe mbështetjen financiare për sektorin e bujqësisë.

Sipas ministrit, qëllimi është formalizimi më i madh i fermerëve dhe orientimi i tyre drejt aplikimit në programet e mbështetjes, duke rritur kapacitetet prodhuese, sigurinë ushqimore dhe integrimin në treg.

“Ne presim që në gjashtëmujorin tjetër të hapet aplikimi për IPARD-in, në mënyrë që të gjithë fermerët të kenë mundësi të jenë pjesë e kësaj pakete shumë të rëndësishme për mbështetjen e sektorit,” deklaroi Salla.

Ai theksoi gjithashtu se skema kombëtare për bujqësinë këtë vit kap vlerën 5.2 miliardë lekë, e ndarë në dy komponentë kryesorë: pagesa direkte për fermerët dhe investime në bujqësi e blegtori.

Pse u pezulluan fondet

Fondet IPARD u ndalën në korrik 2023, pasi OLAF – zyra kundër mashtrimit pranë Komisioni Europian – konstatoi shkelje në procedurat e menaxhimit të tyre.

Në atë kohë ishte planifikuar të shpërndaheshin rreth 40 milionë euro për fermerët shqiptarë, ndërsa në rreth 31 milionë euro u evidentuan parregullsi procedurale.

Paralelisht, edhe Prokuroria e Posaçme nisi hetime për dyshime mbi abuzime me fondet e programit IPARD II.

Pritshmëritë për fermerët

Zhbllokimi i fondeve konsiderohet vendimtar për sektorin bujqësor, pasi programi IPARD është një nga burimet kryesore të financimit për investime në ferma, agropërpunim, teknologji dhe standarde të sigurisë ushqimore.

Autoritetet synojnë që me rifillimin e programit të rritet transparenca, kontrolli i procedurave dhe pjesëmarrja e fermerëve në skemat mbështetëse, duke shmangur problemet që çuan në pezullimin e mëparshëm të fondeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat