Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, ka dhënë një mesazh të qartë për situatën politike në Shqipëri, duke theksuar se protestat e dhunshme të organizuara nga opozita nuk kanë vend në një demokraci funksionale.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, McAllister tha se shumica qeverisëse duhet të përfshijë opozitën në dialog politik, ndërsa opozita duhet të heqë dorë nga format e dhunshme të protestës.
“Integrimi mbështetet në merita dhe secili vend vlerësohet në bazë të përmbushjes së kritereve. Jemi të shqetësuar për polarizimin politik, mendojmë që duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale,” tha ai.
McAllister bëri të ditur se gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, me ministra dhe përfaqësues të shumicës qeverisëse, si dhe me përfaqësues të opozitës dhe ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Ai shtoi se objektivi kryesor mbetet integrimi europian i Shqipërisë, i cili kërkon përmbushjen e plotë të kritereve dhe reformave:
“Dëshiroj të ngre tre argumente të rëndësishme: ruajtja e forcës shtytëse kundër korrupsionit, zbatimi i reformës zgjedhore që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të zbatojë rekomandimet e ODIHR-it, dhe shembulli i udhëheqësve politikë që duhet të japin tonin për qeverisje të përgjegjshme,” tha ai.
McAllister tregoi se ka zhvilluar takime me përfaqësues të Partia Demokratike, përfshirë Gazmend Bardhin, Enkelejd Tabakun dhe Albana Vokshin. Kreu i PD-së, Sali Berisha, nuk është takuar, pasi McAllister u nis drejt aeroportit pas konferencës për shtyp.
“U takova me Bardhin, Tabakun dhe Vokshin, por nuk do të takohem me Berishën sepse do të iki në aeroport,” sqaroi ai.



