Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ka përfunduar mbledhjen e mbajtur këtë të hënë, 23 shkurt, për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK për heqjen e mandatit të deputetes Belinda Balluku.
Mbledhja nisi me tensione, por deputetët e opozitës dolën me një qëndrim përfundimtar: ata rekomandojnë që Parlamenti të votojë pro heqjes së imunitetit dhe dhënies së autorizimit për arrestimin e Ballukut.
Qëndrimi i 5 anëtarëve të opozitës në Këshill, bazuar në nenet përkatëse të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, kërkon:
Zëvendësimin e masës së sigurimit aktuale, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre publike” me arrest në burg ose në shtëpi për Ballukun.
Balluku, e cila mban postin e deputetes, ministrit dhe zëvendëskryeministres, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, sipas nenit 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Mazhoranca pritet të dalë së shpejti me vendimin e saj për këtë kërkesë.



