Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Forumi Ekonomik Botëror (WEF), Borge Brende, njoftoi sot dorëheqjen e tij pas disa javësh hetimesh mbi marrëdhënien e tij me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein.
Brende, i cili ka drejtuar forumin që nga viti 2017, vendosi të japë dorëheqjen pas zbulimeve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, të cilat treguan se ai kishte marrë pjesë në tre darka pune me Epstein dhe kishte shkëmbyer komunikime të shumta përmes email-it dhe SMS-ve me të.
“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen si President dhe Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror. Mandati im këtu, i cili ka zgjatur 8.5 vjet, ka qenë jashtëzakonisht i kënaqshëm,” tha Brende.
Ai shtoi se është mirënjohës për bashkëpunimin me kolegët dhe partnerët dhe beson se forumi duhet të vazhdojë punën pa shpërqendrime.
Në njoftimin e tij, Brende nuk përmendi skandalin Epstein drejtpërdrejt, por vendimi vjen pas një hetimi të pavarur të kryer nga një konsulent jashtë forumit, i cili shqyrtoi lidhjet e tij me Epstein.
Bashkëkryetarët e WEF, Andre Hoffmann dhe Larry Fink, konfirmuan përfundimin e hetimit dhe njoftuan se pasardhësi i përkohshëm i Brendes do të jetë Alois Zwiggi. Bordi i drejtorëve do të mbikëqyrë tranzicionin deri në gjetjen e një pasardhësi të përhershëm.



