Një grup qytetarësh nga Korça kanë dalë këtë të premte me një deklaratë publike lidhur me problematikat e krijuara në juglindje të vendit pas bllokimit të rrugës kombëtare Pogradec–Librazhd. Sipas tyre, kjo situatë ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për të gjithë rajonin.
Banori Lazjon Petrit u shpreh se bllokimi i këtij aksi ka sjellë dëme të konsiderueshme ekonomike për zonën e juglindjes, duke ndikuar drejtpërdrejt në bizneset, turizmin dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Ai bëri me dije se një grup qytetarësh kanë iniciuar një letër të hapur, e cila fillimisht iu është drejtuar institucioneve lokale të Qarkut Korçë, por sipas tij, nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
Në peticionin e hartuar, qytetarët shprehin shqetësimin se bllokimi i rrugës ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen e lirë, ka dëmtuar aktivitetin ekonomik dhe turistik të Qarkut Korçë, si dhe ka rritur ndjeshëm kostot e transportit dhe të mallrave.
Sipas tyre, përdorimi i rrugëve alternative, të cilat konsiderohen të vështira për qarkullim, ka sjellë anulimin e një numri të madh rezervimesh në hotelet e zonës, rritje të çmimeve të transportit publik, si dhe shtim të kostos së shportës dhe produkteve bujqësore e blegtorale.
Grupi i qytetarëve i ka bërë thirrje banorëve të tjerë të Korçës që të bashkohen duke firmosur letrën e hapur drejtuar qeverisë, si dhe të marrin pjesë në një protestë paqësore që pritet të mbahet ditën e hënë përpara Bashkisë Korçë.



