Pas sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit dhe reagimeve të Teheranit, udhëheqës dhe autoritete ndërkombëtare kanë nisur të shprehin shqetësim dhe thirrje për qetësi dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e përshkroi situatën si “të rrezikshme” dhe tha se kishte biseduar mëngjesin e sotëm me ministrin e jashtëm të Izraelit. Ajo theksoi se mbrojtja e civilëve dhe respektimi i ligjit humanitar janë prioritet.
Ministria e Jashtme e Zvicrës u shpreh “thellësisht e alarmuar” nga sulmet dhe bëri thirrje që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, paralajmëroi se sulmet “e çojnë Lindjen e Mesme në prag të katastrofës” dhe i bëri thirrje SHBA-së dhe Iranit të ndjekin një rrugëdalje diplomatike.
Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, tha se po ndjek zhvillimet me “shqetësim të madh”, duke vënë në dukje se tensionet rrezikojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
Ministria e Jashtme e Ukrainës deklaroi se Irani kishte mundësi për të parandaluar një skenar të dhunshëm dhe riafirmoi mbështetjen për sigurinë, prosperitetin dhe lirinë e popullit iranian, si dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, theksoi se vendi i tij mbështet SHBA-në në veprimet për të parandaluar që Irani të sigurojë një arme bërthamore dhe shprehu solidaritet me “popullin e guximshëm të Iranit në luftën kundër shtypjes”.
Ndërkohë, Ambasadat e Indisë në Izrael dhe Iran paralajmëruan qytetarët indianë të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të monitorojnë situatën nga afër.



