Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas protestës së fundit të opozitës në Tiranë, duke theksuar se e drejta për tubim paqësor është një nga shtyllat themelore të çdo shoqërie demokratike.
Në një postim në rrjetet sociale, përfaqësia e BE-së nënvizon se kjo e drejtë duhet të ushtrohet me përgjegjësi të plotë dhe në respekt të sundimit të ligjit, si dhe të sigurisë së çdo qytetari.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian thekson se e drejta për tubim paqësor është një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Ajo duhet të ushtrohet me përgjegjësi, në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të sigurisë së të gjithë individëve,” thuhet në reagim.
Më tej, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e dhunshme të regjistruara gjatë protestës së së shtunës në kryeqytet, duke theksuar se incidentet rrezikuan jetët e njerëzve.
“Në këtë kontekst, Delegacioni i BE-së shpreh shqetësim për aktet e fundit të dhunës në Tiranë, të cilat rrezikuan jetë njerëzish,” theksohet në deklaratë.



