Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të depozitohet në Kuvend raporti i dalë nga Këshilli i Mandateve për dhënien e autorizimit lidhur me arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Përmes një deklarate publike, Bardhi bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PD-së mbështet kërkesën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për heqjen e imunitetit të deputetes.
“Së bashku me kolegët e mi të Grupit Parlamentar të PD, sot do të depozitojmë në Kuvend raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit”, shprehet Bardhi në deklaratën e tij.
Ai njoftoi gjithashtu se në orën 14:00 do të zhvillojë një konferencë për shtyp, ku do të prezantojë raportin dhe do të sqarojë detajet mbi arsyet pse, sipas tij, kërkesa e prokurorisë duhet të mbështetet dhe t’i hapet rrugë arrestimit të deputetes.
Raporti i Këshillit të Mandateve pritet të shqyrtohet nga Kuvendi, i cili do të vendosë mbi autorizimin për vijimin e procedurave të kërkuara nga SPAK. Situata pritet të shoqërohet me debat politik, ndërsa zhvillimet do të ndiqen nga afër.



