Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar këtë të mërkurë 13 kërkesa për rishikim të paraqitura nga ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme për shkarkimin e tyre nga sistemi i drejtësisë.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të 14 kërkesave nga trupat gjykuese të përbëra nga Ina Rama, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, të cilët vendosën mospranimin e kërkesave me shumicë votash.
Mes atyre që iu rrëzuan kërkesat për rishikim janë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të njohur, përfshirë Alma Bratin, Arben Dollapajn, Ardian Yllin, Artan Madanin, Astrit Faqollin, Bernina Kondin, Bledar Abdullain, Dritan Pekën, Dritan Rreshkën, Elsion Sadikun, Entela Priftin, Gentian Trenovën dhe Kastriot Gramshin.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimet janë marrë në bazë të neneve 494 dhe 498 të Kodit të Procedurës Civile, duke konfirmuar qëndrimin e mëparshëm të institucioneve të vettingut.
Me këtë vendimmarrje, KPA vulos përfundimisht procesin për këto raste, duke mos hapur rrugë për rishqyrtim të vendimeve të shkarkimit dhe duke lënë në fuqi rezultatet e procesit të rivlerësimit në sistemin e drejtësisë.



