Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për çështjen e njohur si dosja e AKSHI-t kanë hyrë në një fazë të re, pas zbardhjes së materialeve të reja të sekuestruara gjatë hetimeve.
Burime pranë dosjes bëjnë me dije se në duart e prokurorëve kanë përfunduar disa biseda telefonike të përgjuara, të cilat dyshohet se janë zhvilluar mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako. Këto komunikime janë zbuluar pas ekspertimit të telefonave të sekuestruar në qershor të vitit 2025.
Sipas materialeve hetimore të referuara nga gazetari Elton Qyno, në bisedat e përfshira në dosje përmenden raste që lidhen me përdorimin e presionit, kërcënimeve dhe në disa raste edhe me rrëmbime apo dhunë fizike e psikologjike.
Hetuesit dyshojnë se në disa episode është tentuar ushtrimi i ndikimit mbi funksionarë të lartë shtetërorë, me qëllim orientimin e vendimmarrjes në procedura të caktuara prokurimi publik. Në dosje përmenden gjithashtu komunikime që sugjerojnë përfshirjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët dyshohet se janë përdorur si instrument presioni.
Megjithatë, deri më tani, identiteti i këtyre personave nuk është bërë publik nga autoritetet hetimore.
Materialet e sekuestruara përfshijnë gjithashtu referenca për disa procedura të ndjeshme prokurimi publik, ku dyshohet se janë ushtruar forma të ndryshme presioni ndaj operatorëve ekonomikë dhe zyrtarëve të përfshirë në vendimmarrje.
Në fokus të dosjes është edhe një episod i dyshuar rrëmbimi ndaj biznesmenit Gerond Meçe, i kompanisë “ABS”, i cili sipas hetimeve ka ndodhur në periudhën janar–shkurt 2025 në Tiranë. Sipas hetuesve, ngjarja dyshohet se është kryer në mënyrë të organizuar dhe pa tërhequr vëmendje publike.
Nga hetimet e deritanishme, për çështjen e AKSHI-t janë nën hetim të paktën tetë persona, ndërsa pritet që SPAK të thërrasë në pyetje edhe ish-deputetin Alqi Bllako në vijim të verifikimeve të reja.
Hetimet vijojnë dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim përfundimtar mbi përgjegjësitë individuale në këtë dosje që konsiderohet ndër më komplekset në hetim aktualisht.



