Procesi i votimit për konfirmimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike është shoqëruar jo vetëm me vota, por edhe me mesazhe proteste nga disa anëtarë të partisë.
Një prej rasteve që ka tërhequr vëmendjen është ai i një flete votimi, ku një demokrat ka shprehur hapur kundërshtinë e tij ndaj procesit dhe drejtimit aktual të partisë.
Në fletën e votimit, anëtari i PD-së e ka cilësuar procesin si të turpshëm, ndërsa i është drejtuar drejtpërdrejt Sali Berishës me mesazhin: “Merre partinë me vete në varr”.
Fotoja e fletës së votimit është shpërndarë në rrjetet sociale dhe po qarkullon mes demokratëve, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë që shoqërojnë procesin e sotëm zgjedhor.
Partia Demokratike po zhvillon votimin për konfirmimin e Sali Berishës si kryetar, në një garë ku ai është kandidati i vetëm. Ndërkohë, gjatë ditës nuk kanë munguar kritikat dhe kundërshtitë nga anëtarë të ndryshëm të partisë, të cilët e kanë cilësuar procesin si formal dhe pa konkurrencë reale.
Mesazhi i lënë në fletën e votimit është një tjetër shenjë e pakënaqësive që vijojnë të shfaqen brenda radhëve të demokratëve, pavarësisht zhvillimit të procesit të votimit në të gjithë vendin.



