Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, në kuadër të hetimeve që lidhen me operacionin e zhvilluar më 15 maj 2026 në qytetin e Sarandës.
Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të vendimit gjyqësor janë ushtruar kontrolle në banesat e tre punonjësve të policisë, të cilët janë nën hetim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kuadër të procedimit penal, autoritetet kanë ekzekutuar masat e sigurimit ndaj tre efektivëve të dyshuar. Gjykata ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për Blerim Tafçiun, ndërsa masën “arrest me burg” për Kristofor Shkrepën dhe Kastriot Sotkën.
Sipas AMP-së, tre punonjësit e policisë dyshohen për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer më shumë se një herë.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e organit procedues për zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes.



