Kreu i SPAK, Klodjan Braho, ka zbuluar detaje nga operacioni i përbashkët me Antimafian Italiane, i cili çoi në ekzekutimin e 15 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar të përfshirë në aktivitet kriminal.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Braho e cilësoi aksionin si rezultat të bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Sipas tij, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro para cash, si dhe pasuri të tjera që dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale.
“Ky është një rezultat i përbashkët. Në lidhje me këtë çështje janë ekzekutuar 15 masa, ndërsa 10 prej tyre janë lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Një element i rëndësishëm i këtij rasti nuk është vetëm goditja e aktivitetit të krimit të organizuar në fushën e narkotikëve, por edhe sekuestrimi i produkteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme”, deklaroi Braho.
Ai bëri të ditur se, përveç shumës së konsiderueshme të parave të gjetura në cash, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) janë sekuestruar edhe llogari bankare, shoqëri tregtare dhe pasuri të tjera që dyshohet se burojnë nga aktivitet kriminal.
Kreu i SPAK solli në vëmendje edhe rezultatet e operacioneve të mëparshme ndërkombëtare, si “Shpirti”, “Kulmi” dhe “Ura”, duke theksuar se në kuadër të tyre janë dënuar penalisht 167 persona, ndërsa për 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme, nga 12 deri në 20 vite burg.
Autoritetet shqiptare dhe italiane kanë theksuar se bashkëpunimi mes tyre do të vijojë për të goditur grupet kriminale dhe për të sekuestruar pasuritë e përfituara nga aktivitetet e paligjshme.



