Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e radhës gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 10 të pandehurve të tjerë, të cilët do të gjykohen me procedurë të zakonshme nga një trupë e re gjykuese.
Trupa që do të shqyrtojë dosjen e ndarë të Veliajt përbëhet nga kryesuesja Elsa Ulliri dhe anëtarët Flora Hajredini dhe Besmir Stroka.
Gjatë seancës, prokurori i SPAK, Ols Dado, kërkoi shtyrjen e procesit gjyqësor, duke argumentuar se mungesa e disa të pandehurve dhe avokatëve të tyre ka pamundësuar vijimin normal të gjykimit. Po ashtu, ai kërkoi edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn, kërkesë që u pranua nga Gjykata.
“SPAK çmon se jemi në kushtet për shtyrje të seancës, pasi pengesa shkaktohet nga mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre. Kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn”, deklaroi prokurori Dado.
Kundërshtime ndaj këtij qëndrimi paraqiti avokati Plarent Ndreca, i cili e cilësoi kërkesën e SPAK si antikushtetuese dhe të pambështetur ligjërisht.
Sipas tij, mungesa e disa të pandehurve nuk mund të ndikojë në statusin e Veliajt, pasi ky i fundit përfaqësohet rregullisht nga mbrojtësi i tij ligjor.
“Është një kërkesë antikushtetuese, e pabazuar dhe cënon lirinë e Veliajt, i cili nuk është bërë shkak për shtyrjen e seancës. Ai ka caktuar avokat dhe avokati është i pranishëm në sallë”, u shpreh Ndreca.
Pas shqyrtimit të kërkesave, GJKKO vendosi shtyrjen e seancës, ndërsa procesi do të vijojë në një datë të mëvonshme.



