Kryeministri Edi Rama reagoi këtë të hënë lidhur me incidentin e ndodhur gjatë protestës kundër projektit turistik në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq me forcë nga punonjës të sigurisë private. Në fjalën e tij para mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i qeverisë tha se e kupton plotësisht zemërimin e qytetarëve dhe e cilësoi ngjarjen si një “akt të neveritshëm”.
Rama deklaroi se po të ishte në vendin e qytetarëve, edhe ai do të ishte revoltuar dhe do të mbante qëndrim kundër qeverisë pas pamjeve të publikuara.
“Dua të flas sot edhe për publikun lidhur me situatën e krijuar për investimin e zonës së Zvërnecit. Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht, pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të një prej protestuesve në Zvërnec. Ju kam dëgjuar, lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë. Madje ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit sidomos”, tha Rama.
Sipas tij, pamjet ku rojet private të sigurisë ndërhyjnë me forcë ndaj një qytetari në sy të Policisë së Shtetit janë të papranueshme dhe kanë shkaktuar me të drejtë reagime të forta në publik.
“Do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sytë e Policisë së Shtetit, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin si kafshë një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë në plazhin e rrethuar dhe pastaj policia të thoshte që personi u fut vetë në zonën private, ndërkohë që duhet t’i kishte arrestuar në vend ata që morën zvarrë protestuesin”, u shpreh kryeministri.
Rama kritikoi mënyrën se si është interpretuar ngjarja nga strukturat policore, duke theksuar se dhuna nuk duhet relativizuar, por duhet të ndëshkohet menjëherë.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë foli edhe për informacionet dhe pretendimet që, sipas tij, janë përhapur në publik lidhur me projektin e investimit në Zvërnec.
“Do kisha bërë edhe më keq se ju po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ia fal të huajve. Madje kam vënë re se është përhapur me shumë helm nga pas edhe legjenda se shteti po ia fal atë tokë izraelitëve për të sjellë palestinezët në Zvërnec. Po të më thoshin se aty janë futur ca rusë që në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë po rrafshojnë zonën e mbrojtur dhe do ndërtojnë ca pallate. Po të më thoshin që aty do pastroheshin paratë e mafies ndërkombëtare dhe të tjera nga ato që ju kanë thënë, që pastaj i keni thënë duke i shpërndarë”, deklaroi ai.
Kryeministri tha se gjatë ditëve të fundit ka reflektuar mbi reagimet e shumta publike dhe mbi ndikimin që, sipas tij, kanë pasur dezinformimet në krijimin e perceptimeve negative për projektin.
“Një më një. Bëjnë përditë krimin e helmimit të njerëzve me shpifje. Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes dhe si mund të jenë gazetat greke aleate me ju? Ka diçka që nuk shkon. Kjo është ndjesia ime dhe për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’ju përulem thellë dhe për t’ju lënë e për të ikur në katund”, tha Rama.
Megjithatë, ai theksoi se ka zgjedhur të vijojë drejtimin e vendit dhe të mbështesë projektet që, sipas tij, do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.
“Kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë. Të udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa edhe ju dhe t’ju udhëheq në këtë rrugë që kemi nisur bashkë dhe i kemi dhënë vlerë flamurit tonë”, deklaroi kryeministri.
Duke mbrojtur projektin në Zvërnec, Rama tha se ai është pjesë e vizionit për ta kthyer Shqipërinë në një nga destinacionet më të kërkuara turistike të Mesdheut.
“Falë votës suaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është, i kemi dhënë vlerën që ka flamuri ynë në sytë e të huajve dhe dua ta bëjmë Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më të lakmuar në Mesdheun e sotëm. Ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje”, tha ai.
Rama rikujtoi gjithashtu premtimin e tij politik ndaj qytetarëve, duke deklaruar se mund të ketë bërë gabime gjatë qeverisjes, por jo tradhti ndaj interesit publik.
“Kur kam hyrë në atë zyrë, kam thënë se zyra është e imja, pushteti është i juaji dhe nuk kam premtuar që s’do bëj gabime, por kam premtuar që s’do ju tradhtoj kurrë”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, kundërshtimet ndaj projektit janë ushqyer nga manipulime që kanë shfrytëzuar ndjenjat patriotike të qytetarëve dhe dëshirën e tyre për të mbrojtur natyrën.
“Është vendi për t’ju treguar se si ju kanë manipuluar, ju kanë tërhequr duke shfrytëzuar atdhetarinë, dëshirën për të pasur një vend të bukur dhe se si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua që prej ditës së parë, por që në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Rama.



