back to top
29.5 C
Tirana
E hënë, 1 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetRama mbron projektin në Zvërnec/ Kush është investitori?

Rama mbron projektin në Zvërnec/ Kush është investitori?

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin turistik që pritet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit, duke hedhur poshtë akuzat për shitje të pronave shtetërore apo favorizim të investitorëve të huaj. Gjatë një konference të posaçme, kreu i qeverisë deklaroi se interesimi për investimin ka nisur që në vitin 2023 dhe se qeveria ka ndjekur procedura profesionale për mbrojtjen e interesit publik.

Rama e cilësoi debatin e krijuar rreth projektit si një “kurth për të ardhmen e Shqipërisë”, duke e krahasuar situatën me filmin satirik amerikan “Wag the Dog”, ku sipas tij realiteti zëvendësohet nga narrativa të fabrikuara përmes mediave.

“Në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë, unë kështu e shoh. Kam menduar këto ditë edhe për një film, që na identifikoi kur bota na dinte njerëz me bisht, jo para erës sonë, por në demokraci. U bëmë të njohur përmes filmit ‘Wag the Dog’. Rekrutohet një producent filmi dhe fabrikohet një luftë e trilluar e Amerikës me Shqipërinë, gjithçka përmes mediave, me teknika hollivudiane, me pamje të rreme, këngë patriotike dhe heronj të sajuar”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, projekti në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit ka tërhequr interesin e investitorëve ndërkombëtarë që prej vitit 2023.

“Projekti ka nisur si interesim nga investitorët në vitin 2023, bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë ka qenë se Sazani është tokë publike dhe ka qenë përpjekje edhe e qeverive të tjera për ta kthyer në një destinacion turistik. Ne kemi qenë të qartë se ajo tokë nuk shitet. I kemi bërë me dije investitorëve se shteti shqiptar duhet të jetë ortak në projekt”, deklaroi ai.

Duke iu përgjigjur kritikëve, Rama tha se qeveria nuk ka negociuar apo shitur pasuri publike, ndërsa theksoi se në zonën e Zvërnecit pjesa më e madhe e tokave janë prona private.

“Për Zvërnecin duhet të shihni pronat dhe pronarët. Nuk ka tokë shtet. Copëzat e shtetit janë totalisht të papërfillshme në atë pjesë. Ju e dini mirë kush janë të interesuarit, sepse e di e gjithë bota. Ky projekt është bërë i njohur ndërkombëtarisht nga investitori amerikan Jared Kushner”, u shpreh kryeministri.

Ai akuzoi një pjesë të mediave se kanë trajtuar projektin me paragjykim dhe jo me qëllim informimin e publikut.

“Ka pasur interesim të madh mediatik, por me axhendë. Jo për të treguar sa shumë po zhvillohet Shqipëria, por për të gjetur gjilpërën në kashtë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se investitorët kanë angazhuar kompani dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushën e arkitekturës, inxhinierisë dhe këshillimit juridik, ndërsa qeveria ka refuzuar projekte që nuk përmbushnin standardet e kërkuara.

“Investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, inxhinieri dhe juridiksion. Ne si shtet kemi mbrojtur interesin tuaj dhe e kemi bërë procedurën profesionalisht dhe patriotikisht. Kam parë imazhe të pallateve dhe projekteve. Projekti i vjetër është rrëzuar nga ne, sepse kemi standarde të larta dhe duam më shumë për qytetarët”, deklaroi ai.

Rama theksoi se qeveria nuk ka pasur rol në transaksionet mes investitorëve dhe pronarëve privatë të tokave në Zvërnec, duke sqaruar se negociatat për blerjen e pronave janë çështje private.

“Toka është regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat apo transaksionet me pronarët janë një çështje ku ne nuk kemi hyrë. Ne jemi përqendruar te Sazani, për të cilin ende nuk kemi përfunduar negociatat, sepse kërkojmë pjesën që i takon shtetit shqiptar”, tha ai.

Duke iu referuar debatit të fundit për rrethimin e zonës ku parashikohet zhvillimi i projektit, kryeministri deklaroi se veprimi është kryer në përputhje me ligjin.

“Rrethimi është bërë sipas lejes së zhvillimit. Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr këtë leje”, përfundoi Rama.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat