back to top
27.5 C
Tirana
E hënë, 1 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetBerisha shmang debatin për Zvërnecin: Nuk kam asnjë faqe të projektit

Berisha shmang debatin për Zvërnecin: Nuk kam asnjë faqe të projektit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi projektin turistik në Zvërnec, pavarësisht interesit të lartë publik dhe debatit të krijuar ditët e fundit rreth investimit dhe protestave në zonë.

I pyetur nga gazetarët pas paraqitjes së tij në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Berisha tha se nuk ishte vendi i duhur për të diskutuar çështjen e Zvërnecit, duke sqaruar se para institucionit të drejtësisë përgjigjet vetëm për temat që lidhen me SPAK-un.

“Unë këtu përgjigjem vetëm për çështje të lidhura me SPAK. Unë jam shumë i hapur, por ky nuk është vendi. Mund të flasim te selia e PD-së”, deklaroi Berisha.

Megjithatë, ai komentoi incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku një protestues u shoqërua me forcë nga punonjës të sigurisë private. Berisha e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar një akt të rëndë dhe duke akuzuar Policinë e Shtetit për mosveprim.

“Nëse është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj. Ishte rrëmbim në duart e policisë, akt i shëmtuar i Policisë së Shtetit”, tha ai.

Lidhur me vetë projektin, lideri demokrat deklaroi se nuk disponon dokumentacionin e plotë dhe se nuk mund të japë një qëndrim të detajuar pa njohur të gjitha aspektet e tij.

“Nuk kam asnjë faqe të atij projekti, megjithëse kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, ai ritheksoi qëndrimin e Partisë Demokratike në mbështetje të investimeve të huaja, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ishte miratuar një ligj që, sipas tij, garantonte siguri juridike për investitorët dhe njëkohësisht mbronte të drejtat e pronarëve.

“PD është një parti që mbështet shumë investimet e huaja dhe qeveria ime ka pasur një ligj që zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjet e pronësisë. Nëse qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale kadastrale, për çdo problem që lind, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut”, tha ai.

Sipas Berishës, ky mekanizëm u krijua për të shmangur konfliktet që pengonin investimet dhe për të garantuar siguri për kapitalin e huaj.

“Kjo e linte vendin pa investime. Nëse ty si pronar të kanë shkelur të drejtën e pronës, shteti do të të përgjigjet me vlerën e tregut. Që kur kemi miratuar këtë ligj, ka pasur zero probleme. Jemi shumë të respektuar për çështjen e pronësisë”, deklaroi kreu i PD-së.

Në fund, Berisha theksoi se mbështet protestat qytetare, por njëkohësisht kundërshton çdo përpjekje që, sipas tij, mund të largojë investitorët e huaj nga Shqipëria.

“PD është partia që proteston më fuqishëm se kurrë, por mbështet investimet e huaja, garanton pronat dhe pronarët me një ligj të drejtë. Nuk ka interes më të mbrapshtë se përpjekja për të përzënë investitorët e huaj”, përfundoi ai.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat