Dokumentet zyrtare të Regjistrit të Pronarëve Përfitues hedhin dritë mbi strukturën e pronësisë së projektit turistik me vlerë rreth 4 miliardë dollarë që parashikohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
Sipas të dhënave të publikuara, kompania “Albania Land Development”, e regjistruar në Shqipëri dhe e përfshirë në realizimin e projektit, zotërohet indirekt nga dy shtetas të Katarit, të cilët mbajnë secili nga 50 për qind të pronësisë.
Në ekstraktin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues rezulton se Mohamad Moataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayat janë regjistruar si përfituesit fundorë të kompanisë.
Sipas dokumentacionit, kontrolli mbi kompaninë ushtrohet përmes një rrjeti shoqërish të regjistruara në Katar, mes të cilave Assets International LLC, Assets Real Estate Development WLL, Assets Real Estate Ventures LLC, Power International Holding WLL, Sazan Land Holding LLC dhe Sazan Real Estate Development LLC.
Në strukturën e pronësisë përfshihet edhe Power International Holding (PIH), një nga grupet më të mëdha private të biznesit në Katar, i pranishëm në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, turizmit, shërbimeve dhe fusha të tjera të ekonomisë.
Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit konsiderohet ndër investimet turistike më të mëdha të shpallura ndonjëherë në Shqipëri. Sipas autoriteteve shqiptare, ai synon transformimin e zonës në një destinacion turistik luksoz, me resorte, marina, hotele dhe infrastrukturë moderne për vizitorët.
Vlera e investimit është llogaritur në rreth 4 miliardë dollarë, ndërsa projekti ka qenë në qendër të debatit publik për shkak të ndikimit të tij në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore dhe turistike.




