back to top
25.5 C
Tirana
E martë, 2 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetTabaku kërkon transparencë për projektin në Zvërnec/ "Të publikohen përfituesit përfundimtarë"

Tabaku kërkon transparencë për projektin në Zvërnec/ “Të publikohen përfituesit përfundimtarë”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për projektin e zhvillimit në Zvërnec, duke e cilësuar situatën e krijuar si pasojë të ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga qeveria në fushën e investimeve strategjike dhe zonave të mbrojtura.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se prej më shumë se një dekade ka kundërshtuar ligjin për investimet strategjike, duke propozuar amendamente dhe nisma për shfuqizimin ose pezullimin e tij. Ajo tha se kishte paralajmëruar edhe për pasojat e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura që në momentin e miratimit të tyre.

Sipas deputetes demokrate, kalimi i sipërfaqeve nga kategori të mbrojtura në kategori që lejojnë ndërtime, si dhe ndryshimet e zonimit që mundësuan zhvillime në pjesë të këtyre territoreve, krijuan kushtet që sot të lindte konflikti për projektin në Zvërnec.

“Problemi nuk është tërheqja e investimeve të huaja. Problemi fillon kur ligjet ndryshohen për t’iu përshtatur kërkesave të investitorëve dhe jo interesit publik”, u shpreh Tabaku.

Ajo theksoi se investimet amerikane dhe investimet e huaja në përgjithësi janë të mirëpritura, por ngriti shqetësime për mungesën e transparencës lidhur me projektin dhe përfituesit përfundimtarë të tij.

Deputetja e PD-së kërkoi publikimin e plotë të strukturës së pronësisë së kompanive të përfshira, duke argumentuar se transparenca është një standard i domosdoshëm për një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian.

Në reagimin e saj, Tabaku kritikoi gjithashtu mënyrën e vendimmarrjes nga qeveria, duke pretenduar se vendimet po merren pa debat publik dhe institucional, pa procedura transparente dhe pa përfshirjen e Kuvendit.

“Shqipëria ka kaluar nga sundimi i ligjit tek sundimi përmes ligjit. Kur ligji bëhet pengesë, ai ndryshohet për t’iu përshtatur interesave të momentit”, deklaroi ajo.

Duke sjellë në vëmendje projektet e Portit të Durrësit dhe Aeroportit të Vlorës, Tabaku tha se mungesa e transparencës dhe përqendrimi i vendimmarrjes kanë krijuar vazhdimisht dyshime dhe konflikte rreth projekteve të mëdha zhvillimore.

Në përfundim, deputetja demokrate theksoi se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen mbi mënyrën se si administrohen asetet publike dhe si merren vendimet që lidhen me to, veçanërisht në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat