back to top
25.5 C
Tirana
E martë, 2 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaBraho shpall ofensivën e re të SPAK: Në shënjestër pasuritë e krimit

Braho shpall ofensivën e re të SPAK: Në shënjestër pasuritë e krimit

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se institucioni do të intensifikojë qasjen proaktive në hetime, me fokus të veçantë te hetimet financiare dhe pasurore, si pjesë e strategjisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë një aktiviteti publik, Braho tha se SPAK po përballet me forma gjithnjë e më komplekse të kriminalitetit, duke përfshirë korrupsionin e nivelit të lartë, krimin kibernetik, pastrimin e parave, përdorimin e kriptovalutave dhe komunikimet e enkriptuara nga grupet kriminale.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit nuk mund të kufizohet vetëm në ndjekjen penale të autorëve individualë, por duhet të synojë edhe strukturat, mekanizmat, rrjetet mbështetëse dhe pasuritë e krijuara nga aktivitetet kriminale.

“Për këtë arsye, hetimi financiar dhe pasuror do të jetë pjesë thelbësore e punës sonë”, u shpreh Braho.

Kreu i SPAK theksoi se institucioni do të forcojë qasjen proaktive në identifikimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, duke përdorur inteligjencën kriminale, analizën financiare, analizën ligjore dhe mjetet moderne të hetimit.

“Krimi nuk duhet vetëm të referohet. Ai duhet të identifikohet, analizohet dhe goditet përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, analizës ligjore dhe përdorimit të mjeteve moderne”, deklaroi ai.

Braho nënvizoi gjithashtu nevojën për më shumë burime njerëzore dhe teknike, duke përfshirë prokurorë të specializuar, hetues financiarë dhe ekspertë të analizës kriminale, për t’iu përgjigjur sfidave të reja që paraqet krimi i organizuar.

Ai shtoi se investimet në kapacitetet e SPAK nuk duhet të shihen si privilegj institucional, por si një domosdoshmëri për të rritur efektivitetin në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

“Investimi në aftësitë dhe kapacitetet e institucioneve ligjzbatuese është thelbësor për të hetuar dhe goditur në mënyrë sa më efektive korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e produkteve të tyre”, përfundoi Braho.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat