back to top
25.5 C
Tirana
E martë, 2 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaProjekti i Zvërnecit/ SPAK sekuestron llogaritë e kompanive investuese

Projekti i Zvërnecit/ SPAK sekuestron llogaritë e kompanive investuese

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar llogaritë bankare të disa kompanive të lidhura me projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit.

Sipas burimeve, masa e sekuestrimit është vendosur me urdhër të prokurorit Altin Dumani. Deri më tani nuk është bërë e ditur shuma e saktë e fondeve të bllokuara dhe as lista e plotë e kompanive të prekura nga vendimi.

Pak ditë më parë, vëllezërit Khayyat, investitorë nga Katari, kanë transferuar rreth 195 milionë dollarë në Bankën Kombëtare Tregtare. Këto fonde ishin planifikuar për blerjen e tokave dhe nisjen e punimeve për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec.

Investitorët nga Katari, të cilët janë të lidhur edhe me biznesmenin Jared Kushner, kanë themeluar dy subjekte në Shqipëri për realizimin e projektit. Fillimisht është hapur dega e kompanisë Urbacon Trading and Contracting, një kompani e njohur ndërtimi në botën arabe, ndërsa më pas është krijuar edhe shoqëria “Sazan Operations Holding”.

Pavarësisht emrit, kjo e fundit pritet të jetë e angazhuar në zhvillimin e projektit në zonën e Zvërnecit.

Burime bëjnë të ditur se ende nuk është e qartë baza ligjore e bllokimit të fondeve, ndërsa investitorët nga Katari konsiderohen ndër familjet më të pasura në rajon, me një perandori biznesi miliarda dollarëshe. Sipas të njëjtave burime, masa e sekuestrimit dyshohet të jetë parandaluese, në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon mbi projektin.

Çështja e Zvërnecit, sipas informacioneve jozyrtare, është nën hetim prej më shumë se një viti nga Prokuroria e Posaçme.

Ngjarja vjen në një moment kur projekti ka hasur reagime dhe protesta publike në zonë. Në ditët e fundit janë zhvilluar protesta kundër zhvillimit të projektit, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se në disa raste këto reagime mund të jenë nxitur edhe nga faktorë të jashtëm.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë reagimi i investitorëve dhe ecuria e projektit, i cili konsiderohet një nga investimet më të mëdha turistike të planifikuara në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat