Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestat kundër projektit në Zvërnec, duke kërkuar më shumë transparencë nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse lidhur me investimin që ka shkaktuar debat publik.
Pak ditë pasi kryeministri i cilësoi protestat kundër ndërtimit në Zvërnec si pjesë të një “lufte hibride”, që sipas tij synon të frenojë zhvillimin dhe investimet përmes përdorimit të çështjeve mjedisore, Braçe ka kërkuar publikimin e plotë të të gjithë dokumentacionit që lidhet me projektin.
Në disa dalje publike, përfshirë edhe intervistën më të fundit për CNN, Rama është shprehur se çështjet mjedisore po përdoren për të nxitur qëndrime kundër investimeve, duke folur për një valë dezinformimi rreth projektit në Zvërnec.
Në një videomesazh të publikuar së fundmi, Braçe tha se pikërisht përballë dezinformimit, institucionet duhet të zgjedhin rrugën e transparencës së plotë.
“Shiko të thuash që jemi në mes të një lufte hibride, dhe e tillë është, se dezinformacioni po gëlon, dhe mos të bësh transparencë është nonsens. Vetëm transparenca përballet me dezinformimin dhe e kemi detyrë”, u shpreh deputeti socialist.
Sipas tij, publiku duhet të ketë akses të plotë në të gjithë zinxhirin e dokumentacionit të projektit, duke nisur nga aplikimet fillestare, lejet zhvillimore, projektet arkitekturore dhe kriteret mjedisore, deri te kompanitë e përfshira, investitorët, nënkontraktorët, pronarët e tokave dhe burimet financiare të investimit.
Braçe argumenton se publikimi i plotë i informacionit në një platformë të aksesueshme për qytetarët do të shmangte keqinformimin dhe do të rriste besimin publik për një projekt që vijon të shoqërohet me kundërshti dhe protesta.



