Partia Socialiste nuk tërhiqet nga reforma territoriale dhe plani për uljen e numrit të bashkive, pavarësisht kërkesës për dialog politik të ardhur edhe nga Bashkimi Europian.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, ka deklaruar se konsensusi politik është i rëndësishëm, por vendimmarrja do të vijojë në bazë të funksionimit të demokracisë.
Sipas tij, mazhoranca pritet të paraqesë një projekt që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në një shifër mes 40 dhe 50, nga 61 që janë aktualisht.
Mazniku argumenton se disa bashki të vogla nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të ushtruar kompetencat e tyre, për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, numrit të ulët të banorëve apo vështirësive financiare.
“Krijimi i një numri më të vogël bashkish është parakusht që bashkitë të kenë më shumë kompetenca”, është shprehur Mazniku.
Përveç ndryshimit të numrit të bashkive, reforma parashikon edhe krijimin e një niveli të ri qeverisjeje. Socialistët mbështesin modelin me katër rajone, ndërsa qarqet aktuale, sipas Maznikut, nuk do të preken në këtë fazë.
Sa i përket zonave me shumicë minoritare, mazhoranca deklaron se bashkitë minoritare nuk do të ndryshojnë në kuadër të reformës.
Një trajtim të veçantë pritet të ketë edhe Tirana. Sipas Maznikut, kryeqyteti mund të ketë një kapitull të posaçëm në reformë për shkak të funksioneve të veçanta që mbart, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia e përfshirjes së aeroportit ndërkombëtar në administrimin e tij.
Mazhoranca lë të hapur mundësinë e përfshirjes së opozitës në proces, por paralelisht po përgatit edhe procedurat për ta çuar draftin në Kuvend si nismë ligjore.
Objektivi i socialistëve është që ligji i ri të miratohet në fund të muajit shtator ose në fillim të tetorit. Në seancën e 23 korrikut, Arbian Mazniku pritet të prezantojë raportin e mazhorancës, ku do të bëhet publike edhe harta e re e bashkive që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme vendore.



