Salarjon Totaj, bashkëshorti i deputetes socialiste dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, është shoqëruar sot në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka dhënë shpjegime para autoriteteve.
Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të drejtoreshës së Tatimeve. Burimet bëjnë me dije se nuk bëhet fjalë për kërcënim fizik, por për komunikime me përmbajtje kërcënuese të dërguara në telefon.
Dyshohet se shkak i kësaj situate është bërë një kontroll i ushtruar nga administrata tatimore ndaj një biznesi që lidhet me Totajn.
Deri në këto momente, Policia e Tiranës nuk ka publikuar një reagim zyrtar mbi rastin, procedurat e ndjekura apo përmbajtjen e mesazheve të dyshuara.
Mbetet që autoritetet kompetente të zbardhin më tej rrethanat e ngjarjes dhe të japin detaje shtesë në vijim.




