Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore u shoqërua me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, pas mungesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në seancën dëgjimore. Në vend të tij, në komision ishte i pranishëm zëvendësdrejtori i Policisë, Sokol Bizhga.
Përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan praninë e zëvendësdrejtorit, duke argumentuar se drejtuesi i institucionit duhet të ishte vetë i pranishëm për të raportuar mbi rolin e Policisë së Shtetit në proceset zgjedhore.
Bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, e cilësoi të papranueshme mungesën e Drejtorit të Policisë, duke kujtuar se raportet ndërkombëtare kanë evidentuar problematika që lidhen me veprimtarinë e policisë gjatë zgjedhjeve. Sipas tij, institucioni ka përgjegjësi si për detyrat që duhet të përmbushë, ashtu edhe për rastet kur nuk vepron.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti demokrat Gent Strazimiri, i cili kërkoi shtyrjen e mbledhjes. Ai argumentoi se Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk mund të zhvillojë një seancë dëgjimore me një përfaqësim që, sipas tij, nuk është në nivelin e kërkuar.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga mazhoranca, Damian Gjiknuri, tha se Drejtori i Policisë së Shtetit nuk ka detyrim ligjor të raportojë në këtë komision, duke sqaruar se drejtuesit e policisë japin llogari për punën e tyre në komisionet parlamentare kompetente dhe jo në një komision të posaçëm si ai i Reformës Zgjedhore.
Gjiknuri theksoi se, edhe pse do të ishte e preferueshme që drejtori të ishte i pranishëm, zëvendësdrejtori mund të paraqiste vlerësimet dhe propozimet e institucionit lidhur me procesin zgjedhor dhe problematikat e evidentuara.
Gjatë mbledhjes pati edhe përplasje verbale mes deputetes Albana Vokshi dhe Damian Gjiknurit. Vokshi kundërshtoi mënyrën se si iu drejtua kolegu socialist gjatë diskutimeve, duke i kërkuar që të mos përdorte shprehje personale ndaj saj dhe të fokusohej te çështja në shqyrtim. Ndërsa Gjiknuri tha se komentet e tij ishin bërë në formë batute për të ulur tensionin e debatit.
Në fjalën e tij, zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, sqaroi se ka qenë ai përgjegjësi kryesor për koordinimin e veprimtarive zgjedhore të policisë gjatë zgjedhjeve të vitit 2025. Sipas tij, ai ka propozuar ndryshimet përkatëse për institucionin dhe ka ndjekur nga afër të gjithë procesin zgjedhor, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm ka qenë i angazhuar në drejtimin e strukturave policore në një prej qarqeve të vendit.
Në përfundim, me propozimin e anëtarëve të opozitës, Komisioni për Reformën Zgjedhore vendosi të shtyjë mbledhjen, me qëllim që në seancën e ardhshme të jetë i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.



