Një alarm për sigurinë ushqimore është aktivizuar në Europë, pasi një produkt perimesh të ngrira është konsideruar me rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Njoftimi ka prekur edhe tregun shqiptar, ku produkti është importuar dhe shpërndarë për shitje.
Bëhet fjalë për produktin “MINESTRONE 16 Verdure”, një përzierje perimesh të ngrira me peshë 750 gram, prodhuar në Itali. Produkti me numër loti L03DK dhe afat skadence 30 qershor 2028 është urdhëruar të tërhiqet nga tregu pas konstatimit të një trupi të huaj brenda paketimit.
Rasti është raportuar nga një konsumator dhe pas verifikimeve, Sistemi Europian i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF) ka aktivizuar njoftimin me nivel të lartë rreziku, duke e klasifikuar produktin si potencialisht të rrezikshëm për shëndetin.
Sipas të dhënave të bëra publike, produkti është importuar në Shqipëri më 14 maj 2026 nga subjekti “PRONATYRA TREG”. Sasia e importuar është shpërndarë në dy pika tregtimi në Tiranë.
Pas marrjes së njoftimit për tërheqjen nga tregu, autoritetet kanë konstatuar se e gjithë sasia e importuar ishte shitur.
Qytetarëve që mund ta kenë ende këtë produkt në frigorifer u bëhet thirrje të mos e konsumojnë. Produkti me numër loti L03DK duhet të kthehet pranë pikës ku është blerë.




