Qeveria ka miratuar sot disa vendime, mes të cilave edhe paketën e mbështetjes për familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës, si dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me trupa ushtarake në misionin në Gaza.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri të ditur se vendimi i miratuar përcakton masat e përfitimit dhe procedurat për punonjësit e policisë të dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe për familjet e efektivëve të rënë.
Sipas Lamallarit, familjarët e policëve që kanë humbur jetën në krye të detyrës do të përfitojnë një ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore bruto të punonjësit të ndjerë, pension familjar, bursa të plota për fëmijët dhe mundësi punësimi me përparësi për familjarët.
Gjithashtu, pjesë e paketës është edhe përfitimi i banesave pa pagesë për bashkëshortet dhe fëmijët e mitur të efektivëve të rënë në detyrë. Sipas ministrit, këto banesa mund të sigurohen përmes projekteve të Entit Kombëtar të Banesave ose nga pasuritë e konfiskuara të personave të përfshirë në krimin e organizuar.
Në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe për angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se vendi do të dërgojë oficerë shtabi në kuadër të këtij angazhimi, ndërsa numri i tyre do të përcaktohet në vijim.
Sipas Nufit, Shqipëria ka marrë përsipër të jetë pjesë e strukturave që do të kontribuojnë në Gaza dhe vendimi përfundimtar pritet të merret javën e ardhshme pas vlerësimit të situatës në terren.
Ministri i Mbrojtjes foli edhe për zhvillimin e mundshëm të samitit të NATO-s në Shqipëri, duke sqaruar se vendimi për organizimin e tij merret nga krerët e shteteve anëtare dhe se samiti është parashikuar për vitin 2027.



