KreuAktualitetEkonomiaAirbnb në Shqipëri në rritje/ Vlora, Durrësi dhe Golemi kryesojnë tregun e...

Airbnb në Shqipëri në rritje/ Vlora, Durrësi dhe Golemi kryesojnë tregun e qirave afatshkurtra

Tregu i akomodimit afatshkurtër përmes platformave si Airbnb vijon të shënojë performancë pozitive në Shqipëri gjatë vitit 2026, me zonat bregdetare që mbeten më të preferuarat nga turistët vendas dhe të huaj.

Sipas të dhënave të platformës së analizës së tregut të akomodimit afatshkurtër AirDNA, kërkesa për apartamente me qira ditore ka mbetur në nivele të larta deri në muajin korrik, ndërsa normat e zënies dhe çmimet mesatare kanë ruajtur një ecuri të qëndrueshme në destinacionet kryesore turistike.

Vlora vijon të jetë një nga tregjet më të forta të Airbnb në vend. Gjatë vitit 2026, pronat e listuara në këtë zonë kanë regjistruar një normë mesatare zënieje prej 56%, ndërsa çmimi mesatar për një natë qëndrimi arrin në rreth 77.4 dollarë.

Edhe Durrësi mbetet një destinacion me kërkesë të lartë për akomodimin afatshkurtër. Pronat në këtë zonë kanë një normë mesatare zënieje prej 54%, ndërsa çmimi mesatar ditor është rreth 75.5 dollarë.

Një tjetër zonë me performancë të mirë është Golemi, ku edhe pse norma e zënies është 51%, çmimi mesatar ditor është ndër më të lartët në treg, me rreth 78 dollarë për natë. Kjo tregon se pronat në këtë zonë gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme gjatë sezonit turistik.

Ndërkohë, zonat e veriut paraqiten me një aktivitet më të moderuar. Në Lezhë, norma mesatare e zënies së pronave në Airbnb është 31%, ndërsa çmimi mesatar për natë është rreth 49 dollarë. Në Shëngjin, kërkesa është më e lartë, me një normë zënieje prej 46% dhe çmim mesatar ditor prej 67 dollarësh.

Analiza e AirDNA ka nxjerrë në pah edhe kostot e investimit për përgatitjen e pronave për qira afatshkurtër. Lezha rezulton zona me koston më të ulët mesatare të rinovimit, rreth 4,200 dollarë për pronë, ndërsa Durrësi dhe Golemi kërkojnë investime më të larta, me një mesatare prej rreth 10,800 dollarësh.

Të dhënat tregojnë se tregu i Airbnb në Shqipëri po zgjerohet paralelisht me rritjen e turizmit. Zonat bregdetare vijojnë të ofrojnë mundësi të rëndësishme për investitorët, ndërsa ndryshimet në çmime, kërkesë dhe kosto investimi krijojnë nivele të ndryshme përfitimi sipas destinacionit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat