Rritja e numrit të turistëve po shton ndjeshëm kërkesën për produkte ushqimore në Shqipëri. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vendit do t’i nevojiten rreth 1.9 miliardë euro produkte ushqimore gjatë këtij viti, bazuar në pritshmërinë për rreth 14 milionë vizitorë të huaj.
Kjo shifër është rreth 300 milionë euro më e lartë krahasuar me vitin e kaluar, kur Shqipëria u vizitua nga afro 12.5 milionë turistë.
Por ndërsa kërkesa për ushqime rritet, mbetet pikëpyetja nëse prodhimi vendas mund të përballojë nevojat e tregut dhe veçanërisht fluksin e turistëve.
Sipas përfaqësuesve të sektorit agroushqimor, kapacitetet prodhuese ekzistojnë, por mungojnë kushtet që bujqësia shqiptare të jetë konkurruese në treg.
Kryetari i Unionit Agroushqimor, Theodhor Kristuli, thotë se një problem kryesor mbetet niveli i ulët i mbështetjes financiare për fermerët, krahasuar me vendet e tjera ku bujqësia subvencionohet në nivele më të larta.
Sipas ekspertëve, rritja e turizmit përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, pasi kërkesa për produkte vendase është në rritje. Megjithatë, nëse nuk ka investime dhe mbështetje më të madhe për prodhimin vendas, pritet që kjo kërkesë të plotësohet më shumë përmes importeve.
Një tjetër shqetësim lidhet me vendimet për politikat bujqësore. Pavarësisht rritjes së numrit të turistëve, kultivimi i grurit është hequr sërish nga skemat mbështetëse, çka sipas përfaqësuesve të sektorit mund të ndikojë në rritjen e varësisë nga importet.
Rritja e kërkesës për konsum ka dhënë ndikim edhe në çmime. Produktet vendase, veçanërisht bulmeti dhe zarzavatet, kanë shënuar rritje mesatare me rreth 5 për qind gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar presionin e krijuar nga kërkesa në rritje dhe prodhimi i pamjaftueshëm vendas.



