Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të përshkallëzohen, pasi një burim ushtarak iranian ka paralajmëruar se Teherani do të reagojë ndaj çdo sulmi amerikan ndaj infrastrukturës së tij strategjike.
Sipas deklaratës së dhënë për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim, burimi ushtarak iranian tha se në rast të goditjeve ndaj urave, termocentraleve apo objekteve të tjera në Iran, përgjigjja do të përfshijë sulme ndaj infrastrukturës strategjike në rajon, përfshirë objektet energjetike ku Shtetet e Bashkuara kanë interesa.
Paralajmërimi vjen pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se SHBA-të do të godasin infrastrukturën iraniane nëse Teherani sulmon anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Burimi iranian theksoi se Teherani ka një “vendosmëri të fortë” për të mbrojtur sovranitetin mbi këtë ngushticë, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.
Sipas tij, lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i sigurt për anijet që bashkëpunojnë me autoritetet iraniane dhe respektojnë rregullat e vendosura nga Teherani.
Megjithatë, ai paralajmëroi se çdo sulm ndaj infrastrukturës iraniane do të sillte një kundërpërgjigje që mund të prekë objekte me rëndësi strategjike në të gjithë rajonin.



