KreuAktualitetEkonomiaNafta mbi 200 lekë për litër/ Konsumatorët përballen me një tjetër valë...

Nafta mbi 200 lekë për litër/ Konsumatorët përballen me një tjetër valë shtrenjtimi

Çmimet e karburanteve në vend kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke e çuar çmimin e naftës mbi kufirin e 200 lekëve për litër në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit.

Aktualisht, një litër naftë shitet me 206 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që prej mesit të muajit maj, kur çmimi kishte zbritur nën 200 lekë. Rritja pritet të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve dhe kostot e transportit.

Edhe benzina ka pësuar shtrenjtim. Në tregun me pakicë, çmimi i saj ka arritur në 189 lekë për litër, një nga nivelet më të larta të regjistruara gjatë javëve të fundit.

Ndryshe nga nafta dhe benzina, gazi mbetet i pandryshuar. Prej kohës kur çmimi i tij u rrit nga rreth 50 lekë në 69 lekë për litër, ky produkt nuk ka shënuar luhatje të tjera në treg.

Rritja e çmimeve në Shqipëri vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të naftës po përballen me tensione të forta gjeopolitike. Çmimet e naftës së papërpunuar janë ngjitur në nivelet më të larta të gjashtë javëve të fundit, të nxitura nga shqetësimet për ndërprerje të furnizimit global.

Situata është ndikuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, ku forcat amerikane kanë vijuar goditjet ndaj objektivave ushtarake iraniane, ndërsa paralajmërimet e milicisë Huthi të mbështetur nga Irani kanë detyruar cisternat e naftës të ndryshojnë itineraret e lundrimit në Detin e Kuq.

Në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës Brent u rrit me 1.84 dollarë, ose 2%, duke arritur në 92.85 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 11 qershori. Ndërkohë, nafta amerikane West Texas Intermediate u rrit me 1.67 dollarë, ose 2%, duke u tregtuar me 86.01 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga 12 qershori.

Zhvillimet në tregjet globale pritet të ndikojnë edhe në vijimësi mbi çmimet e karburanteve në Shqipëri, duke mbajtur të lartë pasigurinë për konsumatorët dhe bizneset.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat