KreuAktualitetPolitikaFushata e 11 Majit/ Miliona lekë gjoba për partitë politike

Fushata e 11 Majit/ Miliona lekë gjoba për partitë politike

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar raportin e auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke propozuar vendosjen e masave administrative ndaj 13 partive politike për shkelje të ndryshme të Kodit Zgjedhor.

Sipas vendimit të marrë në seancën publike të kësaj të enjteje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) vendosjen e gjobave për partitë që nuk kanë respektuar detyrimet ligjore për raportimin financiar të fushatës zgjedhore.

Tri parti politike rrezikojnë gjobën më të lartë, në vlerën 2 milionë lekë secila, pasi nuk kanë dorëzuar raportin financiar brenda afatit ligjor. Bëhet fjalë për Partinë Bashkimi Liberal Demokrat, Partinë Rruga e Vërtetë Shqiptare dhe Partinë Aleanca Arbnore Kombëtare.

Ndërkohë, Partia Aleanca Demokracia e Re, Partia Aleanca Konservatore për Shqipërinë dhe Partia Kristian Demokrate janë propozuar për t’u gjobitur me nga 500 mijë lekë secila, për dorëzimin me vonesë të raporteve financiare.

Për shkelje të dispozitave ligjore që rregullojnë financimin e fushatës zgjedhore, KQZ ka propozuar gjoba prej 100 mijë lekësh për Partinë Balli Kombëtar, Partinë Djathtas 1912, Partinë Socialdemokrate, Partinë Nisma Thurje dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Gjithashtu, Partia Lëvizja Atdheu dhe Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare rrezikojnë gjoba prej 500 mijë lekësh secila për mosdorëzimin e raporteve financiare të kandidatëve.

Përveç çështjeve që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi edhe procedurën e re për verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve në mbështetje të referendumeve dhe nismave ligjvënëse.

Vendimi përcakton mënyrën se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të administrojë dhe verifikojë nënshkrimet e zgjedhësve, me synimin për të garantuar transparencë, ligjshmëri, mbrojtjen e të dhënave personale dhe një proces të rregullt administrativ.

Në seancën e sotme, KQZ plotësoi gjithashtu vakancën në Këshillin Bashkiak të Peqinit, duke miratuar mandatin e Astrit Kaziut, kandidat i listës shumëemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat