KreuAktualitetSocialeNga 1 shtatori ndryshon transporti në Tiranë/ Më pak autobusë dhe pritje...

Nga 1 shtatori ndryshon transporti në Tiranë/ Më pak autobusë dhe pritje më të gjata

Nga 1 shtatori, qytetarët e Tiranës mund të përballen me më pak autobusë në qarkullim. Operatorët e transportit publik kanë paralajmëruar reduktimin e flotës me rreth 20–30%, duke argumentuar se kostot e operimit janë bërë të papërballueshme, veçanërisht për shkak të çmimit të karburantit dhe mosrealizimit të kompensimit të kërkuar.

Shoqatat e transportit publik i janë drejtuar me një letër Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e situatës.

Sipas tyre, reduktimi i flotës nuk është një zgjedhje e operatorëve, por pasojë e drejtpërdrejtë e vështirësive financiare për të përballuar kostot e funksionimit me kapacitet të plotë.

Operatorët kërkojnë që të zgjatet me të paktën tre muaj periudha e kompensimit të naftës, pasi shpenzimet për karburantin përbëjnë një nga kostot kryesore të aktivitetit.

Nëse masa zbatohet, pasojat pritet të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët. Më pak autobusë në rrugë do të thotë intervale më të gjata mes mjeteve, pritje më të gjata në stacione dhe rrezik për mbingarkesë të autobusëve që do të vijojnë të jenë në qarkullim.

Shoqatat paralajmërojnë se situata mund të përkeqësojë më tej cilësinë e shërbimit, në një kohë kur transporti publik përdoret çdo ditë nga mijëra qytetarë për të lëvizur në kryeqytet.

“Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm”, thuhet në letrën drejtuar institucioneve.

Shoqatat kërkojnë një përgjigje konkrete nga institucionet dhe realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, duke paralajmëruar se në të kundërt kapaciteti i transportit publik do të vijojë të reduktohet.

Problematika nuk është e re. Që prej muajit maj, operatorët kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për rritjen e kostove të operimit dhe ndikimin që ka pasur shtrenjtimi i naftës në aktivitetin e tyre.

Vetëm gjatë muajit gusht, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas e ka përsëritur dy herë paralajmërimin se vështirësitë financiare mund të çonin në reduktimin e mjeteve në qarkullim.

Ndërkohë, sipas operatorëve, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme me institucionet, kompensimi për karburantin vijon të mos realizohet dhe disa prej kërkesave të tyre ende nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete.

Tashmë, nga 1 shtatori, problemi pritet të reflektohet drejtpërdrejt në rrugët e Tiranës, me më pak autobusë dhe intervale më të gjata pritjeje për qytetarët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat