Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa gara për bashkitë pritet të jetë një nga sfidat kryesore të opozitës.
I pyetur nga gazetarët se kur do të zyrtarizojë kandidatët, veçanërisht atë për Bashkinë e Tiranës, kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se partia do të dalë përpara qytetarëve me kandidatë që, sipas tij, do të jenë më të mirët.
Gazetarët e pyetën Berishën edhe për lëvizjet e mazhorancës në prag të betejës elektorale.
Gazetarët: Mazhoranca duket se është vënë në lëvizje për betejën elektorale lokale. Kur do ta zyrtarizojë PD kandidatin e saj, jo vetëm për Tiranën, por edhe për bashkitë e tjera?
Sali Berisha: Mazhoranca ka shpërndarë dhe po shpërndan 1 miliard e gjysmë euro për hajdutët e saj lokalë, në kundërshtim flagrant me ligjin elektoral. PD po përgatitet të paraqesë para shqiptarëve kandidatët më të mirë që ata kanë pasur ndonjëherë.
Gazetarët: A do t’i keni kandidatët brenda shtatorit?
Sali Berisha: Sigurisht që kjo është periudha në të cilën veprimtaritë dhe përkushtimet kryesore janë për fushatën elektorale.
Berisha nuk dha një datë konkrete për shpalljen e kandidatëve, por nga përgjigjja e tij la të kuptohet se muaji shtator do të jetë periudhë e rëndësishme për përgatitjet e PD-së për zgjedhjet lokale.
Kreu i opozitës vijoi ndërkohë me akuzat ndaj qeverisë, duke pretenduar se fondet e akorduara për pushtetin vendor po përdoren për qëllime elektorale. Berisha e ka bërë edhe më herët këtë akuzë, duke e cilësuar shumën prej 1.5 miliardë eurosh si një “fond elektoral”.
Për momentin, PD nuk ka bërë publik emrin e kandidatit për Tiranën, ndërsa pritet që në javët në vijim të qartësohet edhe skema me të cilën opozita do të garojë në bashkitë e tjera.



