KreuAktualitetPolitikaEthet e zgjedhjeve lokale nisin herët/ Lëvizjet e Ramës dhe Berishës

Ethet e zgjedhjeve lokale nisin herët/ Lëvizjet e Ramës dhe Berishës

Partia Socialiste duket se ka nisur përgatitjet konkrete për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndonëse gara elektorale është ende disa muaj larg. Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i PS-së, Edi Rama, ka mbledhur drejtuesit politikë të qarqeve dhe drejtues të strukturave të partisë, ndërsa në fokus të diskutimeve kanë qenë organizimi në terren, reforma territoriale dhe kandidatët që do të garojnë për bashkitë.

Në takimin e zhvilluar në Pogradec, Rama u ka kërkuar drejtuesve politikë të nisin punën për identifikimin e emrave për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Sipas raportimeve, porosia ka qenë që të evidentohen figura që kanë lidhje më të drejtpërdrejtë me komunitetet dhe që njihen në zonat ku pritet të garojnë.

Një nga garat që pritet të marrë vëmendjen më të madhe është ajo për Bashkinë e Tiranës. Brenda PS-së tashmë ka një emër që e ka bërë publike ambicien për të garuar. Deputeti socialist Erion Braçe ka deklaruar se do t’i shkojë deri në fund garës për Tiranën dhe ka kërkuar që kandidati i PS-së të mos përcaktohet thjesht me një vendim nga lart, por të dalë nga një proces real brenda partisë.

Por beteja për zgjedhjet e 2027-ës nuk lidhet vetëm me emrat e kandidatëve. Në tavolinë është edhe harta e re territoriale.

Mazhoranca po diskuton një reformë që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46 bashki. Projekti ka shkaktuar kundërshtime në disa zona, përfshirë edhe reagime nga përfaqësues të majtë, ndërsa opozita ka një tjetër propozim për ndarjen territoriale.

Sipas raportimeve të fundit, PS dhe PD janë në pozicione të kundërta për këtë çështje. Mazhoranca kërkon 46 bashki, ndërsa demokratët kanë kërkuar një hartë me mbi 100 bashki. Reforma pritet të jetë një nga debatet kryesore të Kuvendit gjatë vjeshtës, pasi përcakton edhe terrenin administrativ ku do të zhvillohet gara e ardhshme lokale.

Rama ka kërkuar ndërkohë nga drejtuesit politikë që të komunikojnë më shumë me qytetarët lidhur me reformën. Në disa prej bashkive ku parashikohet bashkimi ka pasur kundërshtime dhe protesta, ndërsa kryeministri u ka kërkuar strukturave socialiste të shpjegojnë argumentet e mazhorancës për ndryshimin e hartës.

Edhe brenda kampit socialist kanë nisur kështu lëvizjet për kandidatët. Përtej Tiranës, pritet që në muajt e ardhshëm të qartësohen emrat që do të garojnë edhe në bashkitë e tjera.

Nga ana tjetër, PD ende nuk ka zyrtarizuar kandidatët e saj, por Sali Berisha ka deklaruar se partia po përgatitet të paraqesë kandidatët e saj për zgjedhjet lokale dhe se kjo periudhë do t’i kushtohet përgatitjeve elektorale.

Në këtë mënyrë, edhe pse zgjedhjet lokale të 2027-ës nuk kanë hyrë ende zyrtarisht në fazën e fushatës, lëvizjet e dy kampeve tregojnë se gara politike ka nisur në praktikë.

Tashmë beteja pritet të zhvillohet në tre fronte. Kush do të jenë kandidatët, si do të ndryshojë harta e bashkive dhe cili krah politik do të arrijë të kontrollojë më shumë pushtet vendor pas zgjedhjeve të 2027-ës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat